+355 4 224 8981

Ushqimi me vete ne shkolle

Nje femije qe nuk ha mengjes, do te haje vetveten...

Publikuar më 10 Dhjetor 2016, në Nënat dhe Fëmijët

Ushqimi në shkollë

Me fillimin e shkolles fëmijët ndryshojnë regjimin e tyre dhe ky ndryshim reflekton edhe në ushqimin e tyre. Organizimi i vakteve të ushqimeve që fëmija duhet të konsumojë duhet të jetë prioritet i prindërve. Kujdesi për ushqimin e fëmijës fillon që me vaktin e mëngjesit. “Në anglisht fjala mëngjes – breakfast – do të thotë fjalë për fjalë “të thyesh pushimin nga ushqimi”. Të cosh fëmijën në shkollë pa ngrënë mëngjes është njësoj si të nisesh për rrugë të gjatë me makinë me llampë të ndezur. Që ta kuptojmë më mirë, nëse ju nuk i jepni energji fëmijës, ai deri në vaktin e drekës do të përdorë rezervat e veta, pra do të “hajë vetveten”. Për të mobilizuar depozitat e energjisë clirohen hormonet e stresit, të cilat e bëjnë fëmijën të ndjehet i acaruar, i lodhur dhe i pamundur të mësojë. Studimet, gjithnjë e më shumë tregojnë se fëmijët që nuk konsumojnë vaktin e mëngjesit kanë rendiment të ulët në shkollë dhe mungesë të theksuar përqëndrimi.
Për të ofruar një mëngjes të ekuilibruar dhe të përshtatshëm për fëmijën tuaj duhet të keni parasysh disa parime bazë:

Në trurin tonë, transmetuesit e mesazheve të cilët quhen neurotransmetues ndihmojnë trurin të bëj lidhjet e duhura. Ushqimi ndikon në funksionin e këtyre neurotransmetuesve. Ka dy lloje proteinash që ndikojnë në neurotransmetuesit tanë: 1 – neurostimuluese si proteinat që përmbajnë tirosinë, dhe 2- proteina qetësuese qe përmbajnë triptofan, e cila relakson trurin. Një mëngjes me ekuilibrin e duhur të këtyre dy proteinave, e ndihmon një fëmijë të fillojë ditën mbarë. Kombinimi duhur i karbohidrateve komplekse me proteinat është një bashkëveprim që rezulton në një ekuacion të tipit 1+1 =3. Pra, ato së bashku kanë efekt shumë më të dëshiruar sesa të marra vec e vec.

Mëngjesi ideal për të vegjlit

  1. Bukë thekre + kos natyral + ½ mollë 
  2. Buke thekre me djathe dhie, pak vaj ulliri, 1 veze fshati
  3. Trahana me pak vaj ulliri, djathe dhie, 1 mandarine
  4. 1 kupë kos me banane, arra dhe tershere

Disa “jo” për mëngjesin

“Jo” drithrave të gatshme pasi kanë përpunim të “dhunshëm” ndaj drithit dhe shpesh herë shtohet sheqer dhe konservues.
“Jo” lëngjeve të shtrydhur pasi janë më inferior në krahasim me frutin e tërë.

Sigurisht, është ajo që hani, jo ajo që thoni që do të ndikojë fëmijën. Nëse ju vetë nuk uleni të hani vaktin e mëngjesit, vështirë se do të realizoni një fillim të mbarë për fëmijën tuaj.

Ushqimi me vete

Pas mëngjesit, ushqimi që fëmija do të konsumojë në shkollë është i një rëndësie të vecantë. Parimi bazë është që të jeni në dijeni të ushqimit që ai konsumon dhe mundësisht të jetë i përgatitur nga ju.
Në varësi të orëve që do të kalojë në shkollë, duhet të jetë dhe ushqimi i marrë me vete. Për fëmijë që kthehen në shtëpi brënda 4 orëve është mëse i mjaftueshëm 1 frut si molla, banania dhe dardha. Për më shumë se 5 orë është mirë të merret me vete një sanduic me bukë të zeze të cilin mund ta kombinoni me:

  1. Ton, sallatë jeshile, domate, gjizë
  2. Veze, djathë të bardhë, domate
  3. Gjoks pule, sallatë jeshile, kastravec, salcë kosi
  4. Gjize, ullinj te bërë salcë, speca të pjekur
  5. Ton, fasule të bëra në formë pureje, speca te kuq
  6. Biskota me tersher, fruta te thate, fruta te thare dhe fara

Nëse fëmija juaj ushqehet me ushqim të ofruar nga shkolla verifikoni:

  • Përmbajtjen në fruta, zarzavate
  • Llojin e mishit (psh ushqime të përpunuara si salcice, sallamë etj, në më të shumtën e rasteve përmbajnë konservues tepër toksik për fëmijët)
  • Vajin e gatimit, cilësia e të cilit mund ta kthejë një vakt nga të ushqyeshëm në coroditës për metabolizmin e tij
  • Pijet që ofrohen të cilat nuk duhet të përmbajnë sheqer

Dhe e fundit, por jo më pak e rëndësishme është paisja e fëmijës me ujë me vete. Hidratimi i mjaftueshëm është shumë i rëndësishëm për funksionin e trurit dhe performancën mendore në përgjithësi.

Mos harroni, modeli jeni ju, në fund të fundit, cfarëdo që të themi, fëmijët do të ndjekin zakonet tuaja, në më të shumtën e rasteve. Jepni shëmbullin e mire.